Rama batuta me kampionin e Europës, Karateisti: Kur përfaqësoj Shqipërinë ndihem si Skëndërbeu
Kampioni i Europës në karate, Alvin Karaqi merr medaljen ‘Yllin e Mirënjohjes Publike’ të akorduar në një ceremoni speciale nga kryeministri i vendit, Edi Rama. Sportisi vlerësohet pasi në muajin Qershor të këtij viti fitoi medaljen e artë në Kampionatin Europian të Karatesë në Poloni, duke nderuar himnin shqiptar.
Rama nuk i ka kursyer batutat, teksa ka thënë se nuk ishte aty për t’u bërë vjehrri i tij, teksa e vlerësoi ceremoninë, njësoj me vizitën e ndonjë zyrtari të lartë evropian.
“Një shembull frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo që në rrugën e pasionit të vet, është i gatshëm të sakrifikojë dhe të angazhohet pavarësisht mundit dhe vështirësive dhe jeton, merr frymë, ushqehet me idenë e ngjitjes në majë dhe të të qenit fitimtar. Më ka bërë përshtypje, dashuria e tij pasionante për atdheun dhe të jetuarit e tij me flamurin kuqezi si me një pjesë të vetes, si në lëkurën e tij të dytë. Alvini është dhëndri që çdo vjehërr do të donte të kishte. Nuk jam kandidati për t’u bërë vjehrri i Alvinit sepse një vajzë që kemi, e kemi të zënë.”
I emocionuar dhe me lot në sy u shfaq kampioni shqiptar. Karaqi zbuloi se kur i ofruan mbajtjen e flamurit kuqezi në ceremoninë hapëse të Kampionatit Evropian, u ndje si Gjergj Kastriot Skënderbeu.
“Ku mora rolin e bajraktarit të ekipit olimpik për mua ajo ka qenë dita e medaljes pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhte ditën tjetër me qenë bajraktar ndihem si Gjergj Kastrioti.”
Në finalen e 23 Qershorit 2023, Karaqi triumfoi ndaj holandezit Brian Timmermans, me rezultatin 3-2, për të ngritur flamurin kuqezi dhe marrë medaljen e artë e para për Shqipërinë në këtë disiplinë.
Klan News