Përfundon kalvari i 11-vjeçarit shqiptar

Ky ishte momenti i shumëpritur prej 5 vitesh për familjen e Alvin Berishës. Në orën 07:00 të mëngjesit, 11-vjeçari zbriti në aeroportin e Fiumiçinos në Romë, ku edhe u prit mes lotësh dhe emocionesh nga babai dhe dy motrat e tij.

Detajet për operacionin e lirimit të Alvinit u dhanë në një konferencë të përbashkët për mediat të autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj theksoi se ky operacion i përbashkët i forcave speciale italiane me ato shqiptare, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmë Hënës së Kuqe siriane nuk do të ishte i mundur pa punën e secilit prej tyre.

“Bashkëpunimi me Italinë filloi kur i kërkuam Gjysmë Hënës së Kuqe, më 25 Tetor, që të zhvillonim një operacion. Një operacion që ishte e nevojshme puna e gjithkujt dhe bashkëpunimi i të gjithëve. Nuk i diferencojmë dot palët”.

Lleshaj i dha përgjigje edhe debatit nëse rasti i Alvin Berishës u përdor politikisht.

“Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe natyrisht lind pyetja nëse po përdoret politikisht? Dhe unë them po. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme që duhet të vlejnë si eksperiencë pas këtij operacioni. Alvin Berisha është një nga ato rastet që duhet të na tregojë se terrorizmi, ekstremizmi nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona”.

Detaje për operacionin e nxjerrjes nga kampi Al-Hol dha Presidenti i Kryqit të Kuq Italian, Francesco Rocca.

“Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë ka qenë që nuk duhet të merrej vesh nga drejtuesit se fëmija po e linte kampin, pasi atje ka ende prezencë radikale. Kishim një presion dhe tension të madh që ta nxirrnim shëndoshë e mirë djalin. Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp”, tha ai.

Umberto Nobili, pjesë e sektorit të Antiterrorit në Milano tregoi detaje të jetës që Alvin Berishës, i cili ka rrëfyer se nëna e tij vishej si “ninja”, nuk e lejonin të shkonte në shkollë dhe e detyronin të stërvitej për luftë.

Tashmë që vuajtja dhe ankthi për 11-vjeçarin morën fund, duket se ai nuk do të humbas kohë për të rikuperuar gjithçka ka humbur gjatë këtyre viteve, aq sa nuk dëshiron as të flejë, ka treguar mjekja italiane pjesë e Kryqit të Kuq, që mori pjesë në këtë operacion.

Tv Klan