Në kuadër të mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet mediatike jo të përshtatshme për ta, në Tiranë u organizua Konferenca ndërkombëtare nga AMA me synim ndërgjegjësimin dhe monitorimin e dispozitave të kodit të transmetimit. Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive paralajmëroi penalitetet për të gjitha mediat që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.

“Autoriteti i mediave audivizive do të vijojë me përkushtim monitorimin e rregullt dhe të reptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga kodi i transmetimit, forcimin e penaliteteve që shkelin dispozitat e këtij kodi për fëmijët”, është shprehur kryetarja e AMA-s Armela Kraniqi.

Ndër të tjera kryetarja e AMA-s paralajmëroi rishikim të Kodit të Transmetimit, duke filluar nga viti i ardhshëm.

“Është përcaktuar rishikimi i plotë i kodit të transmetimit, do të jemi të gjithë të angazhuar për të bërë një legjislacion të rri në këtë fushë dhe prandaj u desh kjo konferencë për të parë të gjithë ekspertizën më të mirë që na vjen nga vendet të cilat ne i shohim si modelet tona të zhvillimi”, është shprehur Kraniqi.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro e cila për Klan News.

“Kam pasur mundësi të flas me gazetarë,  autoritetet qeveritare dhe parlamentin dhe patëm diskutime konstruktive me ta. Shpresoj se këto diskutime do të na udhëheqin në të ardhmen për të përmirësuar situatën e medies jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin.  

Kjo konferencë për gazetarinë në këtë kohë krizash shërben për të shpjeguar se sa e rëndësishme është gazetaria për publikun dhe si një shtyllë kryesore e shoqërisë tonë demokratike, në këtë konferencë u dhanë mundësi shumë të rëndësishme për të folur për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në rajon”, është shprehur Teresa Ribeiro.

Në këtë konferencë referuan ekspertë vendas dhe të rajonit për të ndarë eksperiencat e tyre në këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin jo vetëm të fëmijëve por të shoqërisë.

Klan News