Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka nxjerrë një paralajmërim për qytetarët amerikanë në Shqipëri, lidhur me datën e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit.

Në një njoftim në faqen zyrtare, ambasada e SHBA u bën thirrje qytetarëve të vetë që të shmangin qëndrimin pranë qendrave të votimeve, pasi mund të ketë incidente të izoluara.

“Zgjedhjet vendore në Shqipëri janë planifikuar që të zhvillohen më datë 30 Qershor 2019. Votimi është planifikuar nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Zgjedhjet do të mbahen në çdo bashki të vendit. Numërimi në qendrat e numërimit të votave mund të zgjasë disa ditë në disa prej bashkive. Incidentet e izoluara të dhunës gjatë kohëve të fundit kanë vënë në shënjestër zyrtarët dhe materialet e zgjedhjeve, duke rritur dyshimet për dhunë ose shqetësime në ditën e zgjedhjeve, para votimit dhe gjatë numërimit të votave në qendrat e numërimit”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Në mbyllje të paralajmërimit për qytetarët amerikanë, ambasada e SHBA bën thirrje që të shmangen zonat ku ka akte dhune, të qëndrojnë të informuar përmes televizioneve dhe të mos jenë në qendër të vëmendjes. /tvklan.al