Reagon Presidenca: Asnjë alert, 200 shqiptaro-amerikanë na bashkohen të hënën

Ambasada amerikane në vendin tonë i ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të shmangin Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të hënën më 2 Mars, ditën që do të mbahet edhe manifestimi i thirrur prej Presidentit Ilir Meta.

Në një deklaratë, thuhet se personeli dhe familjet amerikane janë udhëzuar që të shmangin bulevardin më 2 Mars.

“Një protestë politik pritet të zhvillohet më 2 Mars 2020 rreth orës 17:00. Nuk dihet zgjatja e saj. Në demonstratat e kaluara ka pasur dhunë. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Personeli i ambasadës amerikane dhe familjet anëtare janë udhëzuar që të shmangin zonën ku do të mblidhen demonstruesi. Shmangni vendet ku do të protestohet. Shikoni mediat lokale për përditësime”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Presidencës. Përmes zëdhënësit Tedi Blushi institucioni i kreut të shetit thotë se nuk ka asnjë alert për 2 Mars. Blushi thotë se më 2 Mars, manifestimit do t’i bashkohen edhe 200 shqiptaro-amerikane.

“Asnjë alert për datën 2 Mars, për qytetarët shqiptarë dhe të huaj që jetojnë dhe do të mbërrijnë në Tiranë! Përkundrazi, jemi shumë të lumtur që këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar do t’i bashkohen edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët na kanë konfirmuar pjesëmarrjen në 2 mars dhe një pjesë e të cilëve sapo kanë mbërritur në Atdhe. Dhe me të drejtë, sepse për liritë dhe vlerat amerikane, ata nuk mund t’i marrin leje as Rilindjes dhe as ndonjë segmenti të Sigurimit të Shtetit, kudo që ai të ndodhet”, thuhet në deklaratë

Presidenca konfirmoi se Meta është takuar paraditen e sotme me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Ndër të tjera bëhet publike edhe axhenda e protestës, e cila do të nisë në orën 17:00 e do të përfundojë në orën 19:00.

“Çdo detaj është i mirëpërcaktuar me kohë. Manifestimi fillon në ora 17.00, me flamuj kuqezi dhe mimoza në duar, e përfundon në ora 19.00.
Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar. Shtetasve të huaj, veçanërisht atyre shqiptaro-amerikanë që do të marrin pjesë do t’u dhurohet një degë mimoze dhe një Kushtetute e Shqipërisë, e votuar me 140 vota dhe me bekimin e Komisionit të Venecias, SHBA-ve dhe BE-së. Alerti i vetëm i 2 marsit, është për puçistët që tallen me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke miratuar apo bekuar pabesisht ligje anti-kushtetuese! Të gjithë më 2 mars për Kushtetutën dhe kundër grushtit të shtetit. Për Shqipërinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar! Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane! Pa Kushtetutë nuk ka demokraci! Pa demokraci nuk ka Shqipëri
”, thuhet në deklaratën e Presidencës. /tvklan.al