Pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha se opozita nuk e ka braktisur tryezën për Reformën Zgjedhore ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës Britanike në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada thotë se ky lajm është inkurajues pasi është shumë e rëndësishme që të kapërcehet ngërçi dhe Reforma Zgjedhore të përmbyllet në kohë sa  më të shkurtër.

“Lajm inkurajues në lidhje me angazhimin e opozitës për të vazhduar angazhimin në Këshillin Politik. Është e rëndësishme që ngërçi të kapërcehet dhe Reforma Zgjedhore të përmbyllet në kohë sa më të shkurtër, për të përmirësuar procesin zgjedhor dhe për të bërë një hap më shumë drejt pranimit në BE”, thuhej në deklaratë.

Kujtojmë që më herët, ambasadori Duncan Norman zhvilloi një takim me Presidentin Ilir Meta. Takimi mes të dyve erdhi pasi kreu i shtetit bëri publik një platformë për integrimin europian, të cilën ia kishte dërguar më 8 Prill kryeministrit Rama, ambasadorëve Kim, kryetarit të opozitës Basha dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë./tvklan.al