Ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar foto të takimit një ditë më parë të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken me drejtues të sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Në një mesazh në rrjetet sociale, ambasada amerikane shkruan se është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken përsëriti angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë dje. Megjithëse reforma nuk është e shpejtë, e përsosur, apo e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbetemi të palëkundura në mbështetjen tonë”, shkruan ambasada amerikane në Facebook.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi Tiranë gjatë të enjtes ku në axhendën e tij kishte të parashikuar edhe një takim të shkurtër me krerët e institucioneve të drejtësisë në vend; me kreun e SPAK Altin Dumanin, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, kreun e Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani.

/tvklan.al