Ambasada Amerikane në Tiranë, po vijon me fushatën sensibilizuese duke u bërë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të mos bien preh e mashtrimeve të personave që u kërkojnë para në këmbim të ndihmës për të marrë vizë.

Në një postim në rrjetet sociale, selia diplomatike shkruan se agjencitë e vizave kanë synim vetëm paratë dhe jo të japin këshilla të mira.

“Mos i beso askujt që premton të të ndihmojë të marrësh një vizë amerikane në këmbim të parave. Agjencitë e vizave kanë si qëllim kryesor të fitojnë para, JO të të japin këshilla të mira. Nëse ata e plotësojnë aplikimin tënd gabim ose me informacion të rremë, TI je përgjegjës. Aplikimi yt do të refuzohet dhe çdo vizë e vlefshme mund të anulohet”.

Për të ndihmuar për të aplikuar për vizën, Ambasada Amerikane ka bërë publike edhe një video ku shpjegon me detaje të gjithë hapat që duhen ndjekur.

Njoftimet e qytetarëve shqiptarë nga ambasada amerikane vijnë pas përkushtimit të Departamentit të Shtetit të SHBA për ta bërë Amerikën më të sigurt përmes politikave më kërkuese. Një masë thelbësore është kontrolli i vazhdueshëm i vizave për të gjithë individët.

Nëse ata nuk respektojnë ligjet dhe rregullat e emigracionit atëherë do tu hiqen vizat dhe do dëbohen nga SHBA. Sanksionet përfshijnë burgim, dëbim dhe ndalim të përhershëm të marrjes së vizës amerikane në të ardhmen.

Klan News