Ambasada e SHBA-së: Reforma në Drejtësi e papërsosur dhe e dhimbshme, por duhet të ecë përpara



Ambasada e SHBA-së: Reforma në Drejtësi e papërsosur dhe e dhimbshme, por duhet të ecë përpara

12:39 26/05/2020

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një deklarate thotë se mbetet vendosmërisht e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi, e cila është kërkesë e popullit shqiptar.

Që prej 2016-s, atëherë kur u miratuan unanimisht ligjet themelore për reformën, ambasada thotë se janë ngritur institucione kyçe dhe vazhdon zbatimi për  t’i bërë ato funksionale. Ambasada bën thirrje që të mos humbasë përqendrimi sepse synimi është që popullit shqiptar t’i jepet reforma që kërkoi.

Edhe pse është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, ajo duhet të vijojë punën sepse është e nevojshme sipas ambasadës.

“Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme. Reforma në drejtësi po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. E gjithë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të mbështesë synimin e popullit shqiptar. Ne nuk duhet të humbasim përqendrimin, ne nuk duhet të çorientohemi – synimi është i qartë, populli shqiptar foli dhe reforma në drejtësi duhet të ecë përpara, hap pas hapi”, thuhet në deklaratë.

Javën e kaluar ambasadorja Yuri Kim përmes një postimi në rrjetet sociale tha se shpresonte që të mos ishin të vërteta fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi.

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, deklaroi ambasadorja amerikane në një reagim në Twitter.

/tvklan.al



Të ngjashme