I pranishëm ishte edhe Presidenti Bajram Begaj

Vizitën e Presidentit Bajram Begaj në Vatikan ku u prit në një audiencë të veçantë nga Papa Francesku, ambasada e Shqipërisë pranë selisë së shenjtë e shfrytëzoi për të festuar Ditën e Pavarësisë.

Të pranishëm mes shumë të ftuarve nga trupi diplomatik, pjesëtarë të njohur të komunitetit shqiptar në Itali ishte dhe kardinali i vetëm shqiptar, Dom Ernest Troshani.

Kreu i ambasadës së Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Dodaj, në fjalën e saj kujtoi të gjithë etapën historike ku kanë kaluar shqiptarët, duke theksuar përpjekjet e tyre për mbrojtjen e kufijve të vendit por dhe të krishtërimit,  nga Heroi ynë Kombetar Skënderbeu deri në shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali.

E duke qenë në Vatikan nuk mund të mos flitet dhe për vuajtjet e kaluara nga kleri katolik nën diktaturën komuniste, një nga të mbijetuarit e këtij regjimi është dhe Dom Ernest Troshani. Por Doda u ndal në fjalën e saj dhe te zhvillimet aktuale që kanë ndodhur në Shqipëri pas rënies së komunizimit.

“Sot Shqipëria është anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s, OSBE-së, të Këshillit të Europës dhe nga 24 Qershori kemi hapur negociatat për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian, por vendi ynë edhe pse nuk është bërë pjesë e kësaj familje ka një bashkëpunim shumë të mirë me unionin europian. Kjo u tregua edhe përballë sulmit të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës.”

Presidenti i Republikës Bajram Begaj përmendi dy vizitat historike të dy papëve që kanë vizituar Shqipërinë, të dyja momente që kanë shënuar ngjarje të rëndësishme për vendin tonë.

“Dy papa e kanë vizituar Tiranën, Gjon Pali i dytë në 1993 dhe Papa Françesku në 2014. Vizita e 93 shënoi rikthimin e lirisë fetare, ndërsa vizita e dytë shënoi rëndësinë që ka kombi shqiptar për atë që përfaqëson sot.

Dom Ernest Troshani jo pa krenari e nënvizioi origjinën e tij shqiptare dhe duke cituar fjalët e Papa Françeskut kërkoi me tepër humanizëm nga ata që kanë më shumë duke ndihmuar ata që jetojnë në varfëri.

Ceremonine e festës së Pavarësisë e nderoi me praninë e tij, Sekretari i shtetit të Vatikanit, Kardinal  Pietro Parolin.

Por të nderuar festën kombëtare të Shqipërisë në ceremoninë e organizuar nga ambasada jonë në Vatikan ishin dhe shumë personalitete të tjerë nga vendi mik si dhe diplomatë të huaj pranë selisë së shenjtë.

Tv Klan