Ambasada greke në Tiranë ka sqaruar nëse shqiptarët do të mund të hyjnë lirisht në Greqi pas datës 1 Korrik.

Sipas ambasadës, duke pasur parasysh udhëzimet evropiane për hapjen e kufijve të BE-së dhe vendimeve respektive zbatuese të Greqisë, parashikohet mundësia e realizimit të fluturimeve drejt aeroportit në Athinë nga Shqipëria.

Por nga 1 Korriku nuk do të lejohet hyrja e personave nga Shqipëria në Greqi përmes linjave detare, rrugore apo hekurudhore.

Këtu përjashtohen disa kategori.

Së pari qytetarët grekë, poseduesit e kartës së veçantë të identitetit të homogjenit, ata që kanë leje qëndrimi, ata që kanë banesën kryesore në Greqi, kalimi i kamionëve për transport si dhe hyrja e personave nëpërmjet kufijve për punë dhe kjo duhet faktuar me dokumentet përkatëse.

“Ky regjim lëvizjesh pritet të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas datës 1 Korrik. Ambasada e Greqisë në Tiranë do të lajmërojë menjëherë me njoftim të saj, për çdo ndryshim që mund të rezultojë”, thuhet në njoftimin e ambasadës greke./tvklan.al