Popullohet Ambasada Jugosllave në Tiranë. Prej disa ditësh në ndërtesën e vjetër në Rrugën e Durrësit, residencë diplomatike e republikës federative Jugosllave kanë ardhur pjesëtarët e parë të stafit diplomatik jugosllav duke lënë disi të habitur dhe policin roje që ishte mësuar me ndërtesën bosh. Është më shumë një grup ekspertësh të cilët po përgatisin dokumentacionin e nevojshëm për nisjen e punës konsullore. Popullimi i residencës dallohet dhe me ndërrimin e flamurit të ri, stemës shtetërore si dhe grilat e hapura të dritareve.

Riafirmimi i marrëdhënieve diplomatike nga presidenti jugosllav Koshtunica dhe përgjigja pozitive e diplomacisë shqiptare solli dhe riardhjen në konsullatën jugosllave të tyre që pas largimit të luftës në Kosovë. Sipas marrëveshjeve midis dy ministrive të Jashtme marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të jenë të ngarkuara me punë. Residenca nuk i plotëson kushtet e punës.

Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kontaktet mes diplomatëve shqiptarë dhe jugosllavë janë shtuar. I pari ishte kryesocialisti Nano që u takua me ministrin e Jashtëm dhe pas tij Kryeministri Meta me homologun Gjinxhiç. Madje për dy politikanët shqiptarë ka dhe dy ftesa për të vizituar Beogradin. Ndërkohë që Nano e Meta mendojnë t’a vizitojnë më vonë kryeqytetin e federatës së mbetur, ministri i Jashtëm është më i shpejtë se ta sepse nesër ai do të jetë në Tiranë.

Takimi i ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore për të diskutuar rreth Paktit të Stabilitetit në rajon është dhe qëllimi i vizitës së kryediplomatit jugosllav i pari pas shumë vitesh i cili hedh një hap për një marrëdhënie të re mes dy palëve./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj