Reforma Zgjedhore i ngjiti në zyrën e Lulzim Bashës, pas përplasjeve që palët shënuan në mbyllje të sesionit të kaluar parlamentar, në një kohë kur nga mbajtja e zgjedhjeve na ndajnë më pak se 6 muaj. Dy ambasadorët, ai i BE-së, Luigi Soreca dhe i OSBE-së, Bernd Boshard dolën optimistë nga takimi me kreun e opozitës, duke i kujtuar palëve se pavarësisht ngushtimit të afateve kohore, nëse kanë vullnet politik mund t’ia dalin mbanë.

“Ishim me kolegun Borshard për të biseduar për Reformën Zgjedhore që përfaqëson për ne ende një prioritet, pjesë të prioriteteve që Shqipëria duhet të përmbushë para vendimit të Qershorit lidhur me hapjen e negociatave. Ne flasim me të gjitha partitë dhe nuk do të ndalojmë së kërkuari të gjitha partive që të bëjnë punën e tyre në kuptimin e përmbushjes se përgjegjësive”,

tha Soreca

.

“Koha po ngushtohet. Ka ende mënyra për të ecur para, sigurisht”,

u shpreh Borshard.

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, ndërkombëtarët duken të shqetësuar edhe për qëndrimin e opozitës, nëse ajo do të rikthehet në institucione për ta vijuar dialogun politik dhe përmbyllur Reformën Zgjedhore.

“Opozita i përket parlamentit dhe kjo është një kërkesë konstante që i bëjmë opozitës dhe ne shpresojmë që opozita të jetë në parlament, si në Dhjetor. Objektivi është të finalizohet puna e bërë në dokumentin, në propozimet e përbashkëta që përmbushin rekomandimet e OSBE/ODIHR”,

u shpreh Soreca.

Ndonëse opozita nuk ka dalë me një vendim zyrtar lidhur me qëndrimin që ajo do të mbajë me nisjen në 21 Janar të sesionit të ri parlamentar, Lulzim Basha u shpreh se beteja e koalicionit që kryeson do të vijojë brenda dhe jashtë institucioneve, në sheshe me qytetarët.

Tv Klan