Ambasadorët miratojnë propozimin çek

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Presidenca Çeke e BE-së tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.

“Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për t’i forcuar kontrollet kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media.

Po ashtu, Presidenca Çeke pati një thirrje për Kosovën që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Ballkani Perëndimor ka qenë prioritet për Presidencën Çeke gjatë udhëheqjes.

Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e hapjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 Janari 2024.

Tv Klan