Ambasadori i Uashingtonit në Moskë John Sullivan ka njoftuar se do të kthehet në SHBA për konsultime, disa ditë pasi qeveria ruse kërkoi që ai të largohej nga vendi.

Largimi i John Sullivan do të lërë ambasadat e të dy vendeve pa diplomatët e tyre të lartë në një moment vendimtar, me Uashingtonin dhe Moskën së fundmi duke njoftuar sanksione të reja, pas vendosjes së trupave ruse në kufi me Ukrainën si dhe shqetësimet e ngritura në lidhje me shëndetin e liderit të opozitës Alexei Navalny.

“Unë besoj se është e rëndësishme për mua të flas drejtpërdrejt me kolegët e mi në administratën e Biden në Uashington për gjendjen aktuale të marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, është shprehur Sullivan.

Biden dhe Putin diskutuan për një samit të mundshëm javën e kaluar, por Kremlini ka thënë se do të duhej kohë për t’u organizuar dhe do të ishte e pamundur të mbahej në javët e ardhshme. Sullivan nuk u dëbua, por duket se presioni i qeverisë ruse ndikoi në vendimin e tij për t’u larguar përkohësisht nga vendi. 

Rusia tërhoqi ambasadorin e saj në Uashington, Anatoly Antonov, në Mars pasi Biden pohoi gjatë një intervistë se Putini ishte një vrasës dhe do të paguante një çmim për ndërhyrjen e tij të pretenduar gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

Administrata e Biden javën e kaluar dëboi 10 diplomatë rusë dhe njoftoi sanksione gjithëpërfshirëse kundër Rusisë. Ky ishte dëbimi më i madh i diplomatëve rusë që nga koha e helmimeve në Salisbury 2018.

Klan News