Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie thotë se është i lumtur që Bashkimi Evropian do të diskutojë për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një postim në Twitter, Delawie ka shkruar se ky fakt duhet të ndihmojë që të gjithë të relaksohen.

“I lumtur që e pash në deklaratën e BE-së se në takimin e radhës në Bruksel do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mendoj se kjo do të na ndihmojë të gjithëve që të relaksohemi dhe të kalojmë mirë në këtë fundjavë”

, ka shkruar në Twitter ambasadori Delawie.

Ndryshe, gjatë ditës Bashkimi Evropian ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme në Bruksel do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit.

“Ne e kuptojmë se puna (për draftin) është duke vazhduar. Në të njëjtën kohë BE vazhdon të punojë më të dyja palët për të siguruar implementim e kësaj marrëveshje dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”,

thuhet në komunikatë e BE-së.

Themelimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është produkt i marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian./REL