Nuk qëndroi gjatë ambasadori amerikan Filip Kosnet, në takimin me krerët më të lartë të shtetit kosovar në Presidencë. Kërkesa e Uashingtonit për heqjen e tatimit 100% për importet serbe e bosnjake mendohet të ketë qenë subjekt i takimit, të cilin Presidenti Hashim Thaçi nuk preferoi të jepte detaje se për çfarë ishte diskutuar. Mesazhin gjithsesi e dha të qartë pas takimit.

“Nuk ka individ, as axhendë ditore qe do ta sfidojë këtë partneritet të shtetit të Kosovës, këtë vullnet të qytetarëve të Kosovës, as sot, as në të ardhmen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

I pranishëm në takim ishte edhe Kryeministri Haradinaj. Ai shpreh vendosmërinë për të mos u tërhequr nga taksa derisa Serbia të njohë Pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, le të hapur mundësinë e prishjes së koalicionit qeverisës.

“Nëse mospajtimet politike vazhdojnë, mund të rezultojnë edhe me të arritura të tjera, çfarëdo qofshin ato. Vendosja e taksës është vendim sovran. Nuk është kundër dialogut, por për t’i kërkuar Serbisë një qasje të re në raport me Kosovën. Serbia ka marrë plotë vendime të brendshme, por nuk kanë qenë kusht që ne të mos ulemi në tavolinë”.

Natën e të mërkurës, liderët e koalicionit qeverisës u mblodhën në zyrën e Kryeministrit për të diskutuar propozimin e kryeparlamentarit për pezullimin e përkohshëm të taksës. Takimi përfundoi pa rezultate konkrete.

Tv Klan