Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, se Uashingtoni ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur.

“SHBA-ja ka investuar shumë para, kemi kaluar shumë kohë në trajnime, kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”, ka thënë ai.

Kosnett ka thënë se pavarësisht shqetësimeve të vendeve fqinje për evoluimin e FSK-në në Forca të Armatosura, “Kosova ka çdo arsye dhe ka të drejtë të ketë aftësi vetëmbrojtëse”.

“Pika më e rëndësishme që dua ta theksoj është se nëse ka njerëz që njëmend besojnë se Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Forcat e Armatosura, me çfarëdo etikete përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale, atëherë mendoj se ky është edhe një tregues tjetër për rëndësinë e dialogut”.

Kosnett po ashtu e ka konsideruar shumë të rëndësishme edhe përfshirjen e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera pas transformimit të FSK-së në ushtri pasi sipas tij komunitetet duhet të shohin “se njerëzit në uniformë i përfaqësojnë ata dhe nuk janë vetëm forcë e jashtme”.

Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Megjithatë të enjten, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se tri projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen me 14 Dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

I pyetur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, Kosnett ka thënë se secila marrëveshje në mes të të dyja vendeve duhet të jetë jetëgjatë dhe e qëndrueshme.

Megjithatë sa i përket diskutimit për ndryshim kufijsh në kuadër të arritjes së marrëveshjes finale mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja nuk e konsideron këtë çështje si çelës të dialogut.

SHBA-ja nuk ka ndonjë paragjykim se çka mund të përfshijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse nga dialogu. Mund të jetë që të dy palët të vendosin sinqerisht në mirëbesim për të bërë një rregullim të kufirit. Ata mund të vendosin që të mos e bëjnë këtë, dhe më besoni se i kuptoj shqetësimet e thella, arsyet historike, se pse rregullimi i kufirit është shumë i ndërlikuar. Sërish, dëshiroj ta theksoj se qeveria ime nuk po shtyn për këtë gjë. Jo domosdoshmërisht e shohim këtë si çelës të dialogut. Mendoj se një pjesë e madhe e diskutimit në dialog është përqendruar në këtë. Mendoj se diskutimi për kufirin është vetëm një aspekt i një game të gjerë të diskutimeve që duhet të mbahen ndërmjet dy vendeve, që gjithashtu duhet të prekë bashkëpunimin ekonomik, sigurinë, kulturën, edukimin, drejtësinë, sidomos drejtësinë – një gamë të gjerë të çështjeve për të cilat duhet të flasin të dy qeveritë dhe është me rëndësi që të mos mbërthehen vetëm në një aspekt të problemit”

, ka thënë ai.

Përveç tjerash, ambasadori amerikan ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave me ç’rast e ka cilësuar zhgënjimin e qytetarëve për mospërfshirje të Kosovës në agjendën e këtij muaji të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, si dëshirë të banorëve të Kosovës “për t’i forcuar lidhjet e tyre me Perëndimin”.

Ambasadori amerikan ka ripërsëritur edhe një herë se SHBA-ja është e përkushtuar për nxitje të investimeve amerikane në Kosovë dhe se përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës është i palëkundur./REL