Pro negociatave, por duhet edhe mirëkuptim i të 27 shteteve anëtare

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf nuk ka pranuar të flasë për vendimin e DASH, që e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha person “non grata”. Nga Korça, diplomati i lartë kur u pyet nga gazetarët u shpreh: “Nuk kam koment, jam këtu për këtë projekt të rëndësishëm”.

Ndërsa sa i takon çështjes së negociatave të Shqipërisë me BE, Zingraf foli në emër të qeverisë gjermane dhe tha se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, por vendimmarrja në BE është e përbashkët.

“Unë shpresoj që bisedimet e anëtarësimit të fillojnë të nisin sa më shpejt. Dy të tretat e standardeve evropiane duhet të realizohen në nivel lokal dhe pjesa tjetër në nivel qendror. Qeveria federale gjermane ka thënë se kushtet për nisjen e negociatave janë plotësuar tashmë. Unë jam optimist për çeljen e negociatave, por duhet patur parasysh se duhet edhe mirëkuptim i të gjitha vendeve anëtare”, është shprehur ambasadori i Gjermanisë.

Objektivi i Komisionit Evropian është që të paraqesë opinionin e ri pozitiv për të dy shtetet para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së në fund të Qershorit. Megjithatë nëse mosmarrëveshjet mes Shkupit e Sofjes nuk zgjidhen deri atëherë mundet që kjo vendimmarrje të shtyhet në vjeshtë.

Klan News