Denonconi intimidimet në zgjedhje

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca përforcoi kërkesën e komisioneres Johannson që liderët e partive politike të marrin përgjegjësi ligjore dhe morale për të siguruar që kandidatët si deputetë në lista të plotësojnë standardet më të larta te integritetit.

“Vendi meriton deputetë që do të mbështesin agjendën e reformave europiane për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zgjedhjet janë të ndryshme në çdo shtet të Bashkimit Europian, por thelbi është që qytetarët vendosin bazuar tek oferta politike. Është edhe më e thjeshtë se kaq, ka të bëjë me vetë qytetarët, cilësinë e jetës së tyre, të ardhmen dhe aftësisë së tyre për të ndikuar tek ajo, përmes votës.”

Soreca ju kërkoi qytetarëve që të refuzojnë dhe të denoncojnë çdo shkelje, mashtrime apo intimidime që mund të ndodhin.

“Fushata zgjedhore nuk do të thotë që kandidatët të flasin me njëri-tjetrin, por me qytetarët. Duam të dëgjojmë për tema që nuk janë pjesë e fushatës. Ju inkurajoj që të ndihmoni qytetarët të votojnë dhe ndihmojini që të refuzojnë dhe të denoncojnë çdo shkelje, mashtrime apo intimidime që mund të ndodhin. Integriteti i zgjedhjeve përcaktohet në ditën e zgjedhjeve dhe më parë”.

Deklaratat e Soreces pasuan takimin që ambasadorja amerikane, Yuri Kim pati me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.

Edhe Ambasadorja Kim ka kërkuar që në zgjedhjet parlamentare të ketë kandidatë të pastër. Kim i ka kërkuar Celibashit që në zgjedhje të mos ketë kandidatë që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, duke i verifikuar para se t’i shkojnë për votëbesim qytetarëve. Publiku ende nuk i ka mësuar emrat e kandidatëve për deputet që do të duhet ti votojë me 25 Prill ndërsa data 7 Mars është afati i fundit për partitë politike që ti depozitojnë emrat në KQZ.

Klan News