Futja e numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, një kërkesë e mundshme dhe e pranueshme nga të dyja palët politike në vend, merr dhe mbeshtjen e kreut të prezencës së OSBE në Tiranë, ambasadorit Bernd Borchardt.

Por në një intervistë për Tv Klan ambasadori Borchardt flet me rezerva për votimin elektronik. Gjithsesi vendimarrja, siç pranon dhe ambasadori, i takon Parlamentit shqiptar, por nëse do të pranohet kjo kërkesë e opozitës që ende nuk ka mbështetjen e mazhorancës, vendimi duhet marrë menjëherë.

“Numërimi elektronik, në këndvështrimin tonë, nuk është edhe aq problematik, madje është edhe i rekomandueshëm, duke qenë se mund të ulë politizimin e vendeve të numërimit. Pra, numërimi elektronik do të kishte mbështetjen tonë. Votimi elektronik është një çështje pak më e ndërlikuar. Pikë së pari, që të bëhet votimi elektronik duhet që vendimi të merret sa më shpejt, pasi një nga rekomandimet tona të hershme është që teknologjia të testohet, dhe zgjedhjet e ardhshme janë pak më shumë se një vit larg.

Para kësaj, duhen bërë studimi i fizibilitetit, procese prokurimi, duhen trajnuar zgjedhësit, duhen trajnuar njerëzit në qendrat e votimit, duhet të bëhen testime, duhen kalibruar pajisjet. Të gjitha këto janë diçka e re, kështu që kërkojnë kohë. Edhe nëse testimi bëhet, le të themi, vetëm në dy Bashki. Dihen përparësitë e votimit elektronik dhe veçanërisht të identifikimit elektronik të zgjedhësve, por sigurisht bëhet fjalë për teknologji dhe teknologjia edhe mund të dështojë. Prandaj, duhet të ekzistojë garancia që kjo teknologji nuk do të dështojë ditën e votimit.

Kjo është më kryesorja. Aspekte të tjera që duhen pasur parasysh janë kostot financiare dhe fakti që teknologjia nuk zgjidh të gjitha problemet dhe akuzat e ngritura në kontekstin e dyshimeve për manipulim votash. Përveç kësaj, krijohen mundësi për akuza të tjera: për manipulim të programeve kompjuterike, sulme kibernetike, e të tjera. Për të gjitha këto arsye, kjo është një çështje që duhet diskutuar në mënyrë të hollësishme dhe vendimet duhen marrë sa më shpejt”.

Ambasadori Borchardt thote se rezervat e tij i ka diskutuar edhe me 2 bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore në një takim të zhvilluar pak ditë më parë pa praninë e medias dhe sipas tij ka një qasje pozitive nga opozita.

“Kemi folur për sjelljen e ekspertëve dhe organizimin e tryezave teknike ku të diskutohen të gjitha sfidat. Ekziston përgjithësisht një qëndrim pozitiv nga opozita, por mendoj se aktivitetet e mëparshme që kemi zhvilluar i kanë nxjerrë në pah disa nga problemet që duhen trajtuar në mënyrë shumë të hollësishme përpara se të futet votimi elektronik. Për shembull, a do të bëhet online? Kjo do të linte vend për sulme kibernetike. A do të bëhet offline? Kjo do të thotë që të shpërndahet shumë informacion në të gjithë vendin”.

Ambasadori është shumë i rezervuar dhe kur pyetet për akuzat që rëndojnë në adresë të Partisë Demokratike për financime të dyshimta nga kompani ruse përpara zgjedhjeve të 2017. Megjithate zgjidhja sipas tij gjendet tek rekomandimet e bërë nga OSBE dhe që do të duhet të miratohet nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.

“Ka rekomandime shumë të qarta nga ODIHR-i, të cilat përqendrohen te deklarimi i financimeve të fushatës përpara ditës së zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, është zgjedhësi ai që vendos nëse dëshiron të votojë për një parti që merr para nga X, Y apo Z”.

Ambasadori vlerëson punën e Komisionit të Posaçëm, por thotë se lavdërimi përfundimtar do të vijë kur të ketë rezultate konkrete. Ky komision ka zhvilluar vetëm pak mbledhje, por siç kanë pranuar dhe dy bashkëkryetarët Çuçi dhe Bylykbashi, puna më e madhe është bërë jashtë vëmendjes së medias.

Tv Klan