Pas 9 orësh diskutime në rezidencën amerikane, duket se është hartuar drafti për reformën zgjedhore me “bekimin” e 3 ambasadorëve; të Shteteve të Bashkuara, delegacionit të BE dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Të paktën kështu u shpreh ambasadorja e SHBA Yuri Kim, e cila tha në një deklaratë për mediat mbrëmjen e kësaj të mërkure se meritat për arritjen e marrëveshjes i takojnë Partisë Socialiste në pushtet.

Por, ambasadorja Kim, edhe pse deklaroi se marrëveshja është gati, la të kuptohet se kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka thënë ende PO. Për këtë arsye, ajo u shpreh se tashmë “topi” është në fushën e liderit të opozitës, për të dhënë aprovimin.

U takuam sërish për 9 orë të tjera. Në një negociatë që është kaq e rëndësishme, çdo partie i kërkohet që të japë në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Në fakt çdo parti dha. Gjithashtu çdo parti fitoi. Populli shqiptar mund të fitojë akoma më shumë. Më duhet t’i jap merita të veçanta partisë në pushtet. Ne e bëmë të qartë, si partia në pushtet ata kanë privilegjet dhe duhet të japin më shumë. Në fakt e bënë. Kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Përmban masa që janë adresuar nga ODIHR. Ka ardhur koha për Partinë Demokratike, opozitën, për mikun tim Lul Basha, që të balancojnë të gjithë faktorët dhe të thonë PO për popullin shqiptar. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në duart e tij“, u shpreh ambasadorja e SHBA Yuri Kim.

Kjo është dita e dytë e takimit mes Damian Gjiknurit, Oerd Bylykbashit, Petrit Vasilit dhe Rudina Hajdarit me ndërmjetësimin e 3 ambasadorëve. Edhe një ditë më parë, takimi në rezidencën e ambasadës së SHBA zgjati 9 orë. /tvklan.al