Kreu i shtetit: Marrëveshje për reformën para 8 Qershorit

Pas një takimi “me dëshmitarë”, siç premtoi, me ambasadoren e SHBA në zyrën e tij, Ilir Meta nuk pranoi të zbulojë asnjë detaj mbi temat që u diskutuan.

Ai nuk pranoi as që të ishte aktor apo faktor në procesin e negociatave për marrëveshjen e Reformës Zgjedhore, por dha mesazhet e tij që më së shumti i adresoheshin opozitës.

“Nuk e shoh të arsyeshme të bëhem pjesë, unë dëshiroj dhe apeloj konsensus sa më të shpejtë. Mesazhin për opozitën që kur u shkatërruar në mënyrë të paligjshme Teatri, ka qenë mos bini pre e provokimit të radhës, mos paraqisni listë dëshirash. Të gjithë të tregojnë vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos intimidojnë qytetarët shqiptarë as me arrogancë dhe as me hezitimet”.

Por edhe pse në asnjë moment nuk bëri asnjë tentativë për të negociuar mes palëve për Reformën Zgjedhore, proces që është marrë në duar nga ndërkombëtarët, duket se mendimi i Presidentit Meta ka shume vlerë për kreun e opozitës. Meta pranoi se paraditen e sotme është telefonuar nga Lulzim Basha.

“Kam pasur një telefonatë zyrtare me zotin Basha këtë paradite, e kërkuar prej tij dhe kaq mund të them”.

Në konferencën e përjavshme për shtyp, presidenti denoncoi edhe një herë atë që e quan tentativë e shumicës për të uzurpuar institucionin e KLSH që prej afro 2 vitesh drejtohet nga një kryetar me mandat të përfunduar, pas refuzimit të 3 kandidaturave të propozuara nga presidenti.

“Nuk do të lejoj të bëhet presion politik, siç u tentua për fat të keq dhe me shantazhin e ndryshimeve ligjore përmes të cilave gjoja do të bëhet e mundur emërimi me ligj i një zv/ kryetari i KLSH, duke e justifikuar këtë si një mekanizëm zhbllokues, kur në fakt nuk është gjë tjetër, veçse mekanizmit të njohur rrëmbyes dhe uzurpues të institucioneve të pavarura”.

Tv Klan