Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë i ka dorëzuar zv/Kryeministres Belinda Balluku raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Gjatë një takimi në Kryeministri, ambasadorja e BE vuri në dukje se lufta e Rusisë në Ukrainë ka afruar edhe më shumë Bashkimin Europian me Ballkanin Perëndimor.

“Realiteti i ri gjeopolitik, lufta e Rusisë, i ka afruar më shumë BE dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ka kërkuar solidaritet të plotë të të dyjave palëve. Kjo situatë e ka vendosur edhe njëherë zgjerimin e BE në krye të axhendës. Perspektiva e anëtarësimit në BE është një spirancë e fortë jo vetëm për begatinë, por edhe për paqen. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë për orientimin e saj strategjik dhe për rolin e saj si partnere e besueshme e Bashkimit Europian”.

Ambasadorja e delegacionit të BE vuri në dukje gjithashtu se tashmë Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim do të jetë nën monitorim më të rreptë nga BE-ja.

“Jemi në një fazë të re të procesit për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Ne nuk duam të humbasim as edhe një moment. Raporti i Komisionit i këtij viti për Shqipërinë, ofron situatë të drejtë për situatën në të cilën gjendet vendi, dhe ofron edhe udhëzime për hapat që duhet të ndjekë Shqipëria. Si vend negociues, Shqipëria tashmë bëhet pjesë e ligës së parë. Kjo do të thotë që ju keni rastin tani që të arrini vende të tjera, por do të thotë gjithashtu që Shqipëria do të jetë në monitorim gjithnjë e më të imtësishëm. Dhe do të duhet udhëheqje e fortë politike, kjo do të jetë thelbësore, për të dhënë ato reforma që duhen për të ecur në procesin e negocimit. Në përgjithësi, vlerësimi i raportit është që Shqipëria ka vazhduar të ketë në fokus axhendën e reformave të BE, pavarësisht sfidave që kanë lindur për të trajtuar të gjitha ato pasoja ekonomike dhe sociale të tronditjes apo shokut të 3-fishtë; të tërmetit të vitit 2019, pandemisë dhe luftës ruse në Ukrainë”, theksoi ambasadorja. /tvklan.al