Ambasadorja e re e BE-së mesazh shqiptarëve: Hapja e bisedimeve na afron dhe na bën më të fortë




Ambasadorja e re e BE-së mesazh shqiptarëve: Hapja e bisedimeve na afron dhe na bën më të fortë

18:25 05/08/2022

Delegacioni i BE-së në Tiranë nga kjo javë ka në krye të misionit të saj ambasadoren e re, Christiane Hohmann. Ajo i është drejtuar qytetarëve shqiptarë me një video-mesazh, ku ka thënë se hapja e bisedimeve të anëtarësimit ka sjellë më afër Brukselin me Tiranën. Hohmann thotë ndër të tjera se mezi pret që të punojë me të gjithë institucionet shqiptare, forcat politike dhe qytetarët e ndryshëm.

“Unë quhem Christiane Hohmann dhe jam ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri. Është një nder i madh të përfaqësosh Brukselin në Tiranë dhe të punosh për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria sapo ka nisur një kapitull të ri në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Hapja e bisedimeve të anëtarësimit na afron dhe na bën më të fortë. Ajo ofron mundësi të mëdha për konsolidimin e progresit të arritur dhe thellimin e transformimit të vendit tuaj. Pres me padurim të punoj me të gjithë ju, institucionet shqiptare, forcat politike, shoqërinë civile, qytetarët, për të bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian”, shprehet Hohmann.

Ambasadorja e re e mbyll mesazhin e saj në shqip duke thënë “ju faleminderit”. Hohmann i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj 3 ditë më parë. Ajo u emërua në postin e ambasadores nga Josep Borrell.

Hohmann zëvendëson në këtë detyrë Luigi Soreca-n. Ajo është diplomate karriere. Para se të merrte detyrën e ambasadores së BE-së në Tiranë ajo shërbeu si ambasadore e Gjermanisë në Edstoni, ndërsa më parë ka shërbyer në ambasadën e këtij shteti në Bosnje-Hercegovinë./tvklan.al










Të ngjashme