Ambasadorja Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ishte në Presidencë këtë të hënë. Ajo paraqiti Letrat Kredenciale tek kreu i shtetit, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se i ka pranuar ato me kënaqësi.

“I kënaqur të prisja dhe të pranoja Letrat Kredenciale të Ambasadores së re të SHBA, znj.Yuri Kim. SHBA një partner strategjik, i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Së bashku të përballojmë me sukses sfidat që ka vendi. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane”, shkruan Meta, ndërsa bashkëngjitur ka publikuar edhe një video me disa momente nga takimi.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në një deklaratë për shtyp thotë se Kim dhe Meta biseduan mbi miqësinë e gjatë midis SHBA-ve dhe Shqipërisë si dhe përsëritën angazhimin e përbashkët për të vijuar përparimin e saj duke u mbështetur në forcën e marrëdhënies sonë.

Më pas, Kim është takuar me ambasadorin e Bashkimit Europin, Luigi Soreca. Ai i ka uruar mirëseardhjen ambasadores së re të SBA-së, ndërsa thekson se është gati për të nisur punën sëbashku me Shqipërinë për të çuar përpara procesin e integrimit.

“2020 është një viti i rëndësishëm për perspektivën europiane të Shqipërisë”, shkruan Soreca.  

Kim mbërriti në Shqipëri javën e kaluar. Ajo është një diplomate karriere, e cila ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme./tvklan.al