“Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”.

Është ky reagimi i parë i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në ditën e parë të punës në vendin tonë. Postimin e ka bërë publik në rrjetet sociale Ambasada Amerikane, e cila ka shpërndarë edhe profilin e Ambasadores Kim.

Kim është një diplomate karriere. Ajo ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Yuri Kim Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Poëell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit./tvklan.al