Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim është takuar sot me Kryeministrin Edi Rama në zyrën e këtij të fundit.

Zyra e shtypit të ambasadës së SHBA në Tiranë ka zbardhur çfarë u diskutua në takimin dy palësh. Sipas njoftimit, biseda u fokusua në zhvillimet e ditëve të fundit, sikurse është shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, ngjarje e cila ka krijuar debat publik.

Në këtë pikë, ambasadorja amerikane thekson se është e rëndësishme gjithëpërfshirja ne qeverisje, në një vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit. Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE. Ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Gjatë ditëve në vijim, ambasadorja amerikane do të takohet edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. /tvklan.al