“Franca nuk e ka mbyllur kurrë derën e BE për Shqipërinë”

Iniciativën e vendeve të Ballkanit Perëndimor e ka komentuar edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri. E pyetur pas një aktiviteti të zhvilluar në Korçë, ambasadorja Christine Vasac tha se forcimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit është i mirëpritur.

“Forcimi i marrëdhënieve mes vendeve të Rajonit është i mirëpritur. Mendoj se ky është frymëzimi mes bashkëbiseduesve. Duke folur për një minishengen do doja t’ju kujtoja se kodi Shengen është shumë i gjerë, besoj nuk bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Nuk ka pse t’i kundërvëmë rrugëtimit të Shqipërisë drejt Europës një iniciative të vendeve të Ballkanit”.

Diplomatja përsëriti qëndrimin e presidentit Macron për zgjerimin, por theksoi se vendi i saj nuk ka qenë asnjëherë kundër Shqipërisë.

“Përsëris presidentin: vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë vokacion të jenë pjesë e BE. Franca nuk ka qenë asnjëherë kundër. Ka thjesht disa lloj interpretimesh nga njerëz që s’korrespondojnë me të vërtetën. Dera është e hapur. Së pari reformat të vazhdojnë dhe të kenë rezultate konkrete. Nuk mjafton të miratohen ligje. Duhet zbatim. Kjo kërkon vullnet të gjithë palëve politike.”

Ambasadorja franceze tha se ideja e presidentit Macron është reformim i procesit të zgjerimit në mënyrë që BE të funksionojë.

Tv Klan