Përmes një deklarate në rrjetet sociale, ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Sussane Schutz, u bën thirrje të gjitha palëve që të pengojnë çdo formë dhunë gjatë ditës së zgjedhjeve të dielën e 30 Qershorit. Ajo thotë se është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen të lira dhe në këtë kontekst, partitë opozitare kanë një detyrë të veçantë sipas saj.

“Duke patur parasysh zgjedhjet vendore të ditës së dielë, datë 30 Qershor, u bëj thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në mënyrë aktive që të pengojnë çdo formë dhune. Është me rëndësi vendimtare, që zgjedhjet të zhvillohen të lira. Në këtë kontekst ky është një obligim i veçantë i partive opozitare. Gjermania ka sjellë në Shqipëri vëzhgues, që do të vëzhgojnë proceset në kuadër të misionit të pavarur të OSBE-/ODIHR-it”.

Më tej ambasadorja gjermane thotë se të gjitha palët politike duhet të marrin përgjegjësitë e tyre pas zgjedhjeve të së dielës më 30 Qershor, teksa ka folur për herë të parë edhe për audio-përgjimet në zgjedhjet e kaluara, për të cilat thotë se duhet të hetohen.

“Të gjitha palët duhet të tregojnë tani gatishmëri për dialog dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për vendin duke patur parasysh edhe situatën pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Akuzat, që u referohen akteve eventualisht kriminale në kuadrin e zgjedhjeve të shkuara, duhet të sqarohen në mënyrë të menjëhershme nga agjensitë e zbatimit të ligjit sipas legjislaciont në fuqi. Për sqarimin e çështjeve të së drejtës kushtetuese të mbetura pezull deri më tani rëndësi vendimtare ka rivendosja e shpejtë në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese”, përfundon deklarata e ambasadores gjermane. /tvklan.al