Ambasada e Gjermanisë në Tiranë kujtoi të hënën se Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe bëri thirrje që të mos humbet kohë, por të vijohet me reformat kyçe në Drejtësi dhe në sistemin zgjedhor.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Ambasadorja gjermane Susane Schütz tha se “

qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend.

Ambasadorja tha se respekton vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve, por theksoi se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike.

Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve.

Schütz tha se Gjermania pret hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “

Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore

“./tvklan.al