“Sulmet kibernetike të Iranit, të rrezikshme dhe kërcënim për popullin shqiptar”

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim i konsideron të rrezikshme dhe dashakeqe sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë.

Gjatë fjalës së saj në konferencën për “Sigurinë Kibernetike”, ambasadorja Kim theksoi se SHBA ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë dhe do të vazhdojë ta bëjë.

Ekspertë të SHBA erdhën në Shqipëri për të asistuar për mbrojtjen kibernetike.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim theksoi se 50 milionë Dollarë do të përdoren në mbështetje të mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë.

“Sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë kanë qenë të rrezikshme, dashakeqe dhe janë një kërcënim për popullin shqiptar dhe për kombin shqiptar. Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë t’i përgjigjen me forcë aktorëve keqdashës kibernetik kur veprimet e tyre kërcënojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët, miqtë dhe partnerët tanë. SHBA ndërmorri veprime për të mbështetur Shqipërinë. Sekretari i Shtetit Blinken dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Sullivan i përcollën drejtpërdrejt Kryeministrit Rama mbështetjen tonë dhe dënoi ashpër sulmin e Iranit dhe shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë përballë këtij sulmi. Departamenti i Thesarit i SHBA njoftoi sanksione domethënëse ndaj Ministrisë së Inteligjencës së Sigurisë së Iranit, përfshirë ministrin e Inteligjencës.

Duke filluar nga muaji Korrik, SHBA kanë dërguar vazhdimisht pa ndërprerje ekspertët tanë më të aftë të sigurisë kibernetike për të punuar së bashku me homologët shqiptarë përfshirë doktor Igli Tafën, për të analizuar, identifikuar dobësitë dhe kërcënimet ekzistuese dhe të mundshme si dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë kibernetike të Shqipërisë ndaj kërcënimeve të ardhshme. Në njërin nga angazhimet e tij të para, ambasadori ynë i ri për hapësirën kibernetike dhe politikën dixhitale, erdhi në Shqipëri dhe së bashku me doktor Tafën ndihmoi në bashkërendimin e reagimit tonë të përbashkët ndaj sulmeve të Iranit dhe asistencës për sigurinë kibernetike të Shqipërisë.

Dy javë më parë, ministri juaj i Mbrojtjes Peleshi diskutoi përgjigjen tonë të përbashkët për sigurinë kibernetike me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA dhe me drejtuesit e komandës kibernetike të SHBA. SHBA kanë punuar përkrah Shqipërisë për një përgjigje të gjerë ndërkombëtare duke filluar me aleatët e NATO dhe partnerë të tjerë të ngushtë për të dënuar sulmin e Iranit dhe për të shprehur mbështetje për Shqipërinë.

Ju nuk jeni vetëm në të qenit të synuar për sulm kibernetik dhe sigurisht nuk jeni të vetëm në këtë përgjigje. Duke punuar së bashku me doktor Tafën, SHBA dhe Shqipëria po zbatojnë një nga përpjekjet tona më të mëdha të ndihmës kibernetike që arrin në 50 milionë Dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe ky është vetëm fillimi. Ne kemi qenë duke punuar së bashku me sektorin e mbrojtjes për të forcuar këtë sektor me 25 milionë Dollarë mbështetje. Kjo shumë është përveç 24 milionë Dollarëve të asistencës së SHBA për sulmet kibernetike të Iranit. Ky është fillimi i asistencës dhe nuk është plotësia e saj”, tha ndër të tjera ambasadorja Kim. /tvklan.al