Ambasadorja Kim: Disa kriminelë nuk u vendosën në listat e kandidatëve, por ka persona që…



Ambasadorja Kim: Disa kriminelë nuk u vendosën në listat e kandidatëve, por ka persona që…

22:16 18/05/2021

Pastrimi i listave të kandidatëve dhe përzgjedhja e figurave të pastra ka qenë një nga thirrjet e shpeshta që ambasadorja amerikane Yuri Kim u ka drejtuar liderëve të partive politike.

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ambasadorja Kim thotë se në këto zgjedhje listat e kandidatëve ishin përmirësuar dhe një pjesë e konsiderueshme e elementëve kriminalë nuk u përfshinë. Por përsëri shpreh pakënaqësi për disa persona që për të, sikurse shprehet vetë, përbëjnë shqetësim dhe që për të arsyet mbeten mister.

Blendi Fevziu: Ambasadore, përpara zgjedhjeve, ju i kërkuat partive të mos kandidonin persona me rekorde kriminale në zgjedhje. A mendoni se e pranuan këshillën tuaj?

Ambasadorja Kim: Mendoj se e pranuan pjesërisht.

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë pjesërisht?

Ambasadorja Kim: Mendoj se listat e kandidatëve këtë vit, në përgjithësi, ishin më të mira se vitet e kaluara, në kuptimin që…

Blendi Fevziu: Shumë më të mira …

Ambasadorja Kim: …Jam dakord… Mendoj se disa nga kriminelët më të dukshëm nuk u vendosën në listë ose u hoqën para se listat të bëheshin përfundimtare. Nga ana tjetër, ka persona të tjerë që përbëjnë shqetësim, që u futën në lista, për arsye të ndryshme që për mua mbeten mister. Por di që udhëheqësit e partive kanë një përgjegjësi për të qenë të vërtetë dhe seriozë lidhur me largimin e kriminelëve dhe moslejimin e kriminelëve që të përfaqësojnë partitë e tyre dhe që të ulen në parlament.

Ndaj, mendoj se është me shumë rëndësi dhe diçka shumë e mirë që një person i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion domethënës nuk është më në parlament. Kjo është gjëja e duhur dhe ky është drejtimi i duhur. /tvklan.al







Të ngjashme