Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikë, Yuri Kim, në një intervistë në “Opinion” në Tv Klan është shprehur se vëmendja e SHBA për Shqipërinë dhe rajonin është shumë e madhe.

Kim tha se shumë kompani amerikane po investojnë në Shqipëri, por shtoi se me Reformën në Drejtësi kur të ketë një gjyqësor të drejtë investimet do rriten dhe më shumë.

Blendi Fevziu: Dhe nga politika e brendshme tek marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Cilat janë dosjet apo çështjet më të rëndësishme që kemi mes dy vendeve?

Ambasadorja Kim: Kam tri prioritete këtu: demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Për demokracinë, sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi, eliminimi i korrupsionit, këto janë thelbësore. E dyta, mbrojtja, të sigurohemi që të ofrojmë mbështetjen që i duhet Shqipërisë për të qenë një aleate edhe më e aftë në NATO.  Dhe së fundi, biznesi, më kanë thënë se jam ambasadorja e pare amerikane që e theksoj vërtet këtë pikë, por për mua është një vazhdim i natyrshëm i marrëdhënies. Dy javë më parë, Nën-Sekretari i Shtetit ishte këtu dhe nënshkruam një Memorandum historik për Bashkëpunimin Ekonomik, hera e parë që e bëjmë këtë mes dy vendeve tona. Mendoj – duhej edhe më parë, por është diçka e mirë që e bëmë dhe nuk janë vetëm fjalë; sepse menjëherë pas asaj, një nga kompanitë më të mëdha të Amerikës, Bechtel, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi për hidrocentralin e Skavicës. Nëse realizohet, do të jetë kontrata më e madhe me një kompani amerikane në Shqipëri. Po ju them edhe që dje, ndihmova festimin e pesë-vjetorit të ABI Bank, një tjetër investim amerikan. Kanë investuar mbi 100 milionë dollarë dhe zotërojnë asete prej rreth 750 milionë dollarë në Shqipëri. Dua të shoh më shumë gjëra të tilla. Pse? Sepse është mirë për amerikanët, është mirë për shqiptarët. Çfarë kërkohet? Nuk është falas. Kërkon sundim të ligjit. Kërkon sigurinë që kur një investitor amerikan blen një pronë, të jetë i/e sigurt që ajo e drejtë do të respektohet, që kontratat do të zbatohen, që kur ka një mosmarrëveshje, mund ta çojnë në gjykatë dhe do të marrin një gjykim të drejtë dhe transparent. Tani, kam frikë se nuk është tamam kështu. Dhe prandaj duhet Reforma në Drejtësi tani.

Blendi Fevziu: Dhe këto mund të ndryshojnë edhe klimën e biznesit?

Ambasadorja Kim: Pikërisht. Shumë njerëz e mendojnë Reformën në Drejtësi dhe korrupsionin si çështje morale. Unë jo. I mendoj si çështje shumë praktike dhe çështje biznesi dhe begatie. Nëse nuk ke rregulla që janë të qarta dhe procese që janë të qarta, i prish punë vetes, Shqipërisë, si vend. Dhe për mua, gjëja më mahnitëse është që kur takoj të rinj në Shqipëri, është e qartë për mua që ky është një vend mahnitës, me njerëz mahnitës. Nuk ka arsye pse Shqipëria të jetë e varfër. Asnjë arsye pse të rinjtë të largohen. Por e dini, përgjegjësia nuk është e tyre për të qëndruar, por është e atyre në pushtet, të gjithë ata, të rriturit, për të krijuar kushtet që t’i mbajnë këtu. Është përgjegjësia e tyre. Dhe shpresoj që kur ta përmbushin premtimin, premtimin që kanë bërë, një premtim që treguan me votimin unanim për Reformën në Drejtësi, kur ta përmbushin, njerëzit do të votojnë, me këmbë në tokë, do të qëndrojnë, dhe Shqipëria do të jetë një vend më i mirësi rezultat i kësaj.

Blendi Fevziu: Ky është një problem i madh për ne, ambasadore, sepse në 30 vitet e fundit të demokracisë, kemi humbur thuajse gjysmën e popullsisë, njerëz të larguar për në vende dhe jetë më të mirë – SHBA, Itali, Greqi, Gjermani, dhe tani duhet ta ndalim. Duhet të ndërtojmë vendin tonë sipas standardeve të çdo vendi tjetër demokratik në botë.

Ambasadorja Kim: Keni absolutisht të drejtë.

Blendi Fevziu: Dhe, një pyetje e fundit. Ka shumë komente që thonë se Shtetet e Bashkuara, apo vëmendja e Shteteve të Bashkuara, ose politika e jashtme e SHBA është më e ulët ndaj Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit. Është e vërtetë apo jo?

Ambasadorja Kim: E përsëris, mos dëgjoni propagandën. Shihni faktet, Blendi.

Blendi Fevziu: Është prej Presidentit Trump?

Ambasadorja Kim: Jo, shihni faktet, shihni faktet. Jam një person shumë praktik. Shihni faktet. Presidenti i Shteteve të Bashkuara jo vetëm që emëroi një të Dërguar të Posaçëm për të punuar për Ballkanin Perëndimor por edhe caktoi një nga ndihmësit më të afërt të emëruar si të Dërguar të Posaçëm Presidencial për të punuar për çështjen e Kosovës dhe Serbisë. Muajin e fundit, patë një marrëveshje historike, jo marrëveshja e plotë politike, por një marrëveshje shumë praktike, reale që fokusohet tek…

Blendi Fevziu: …po, tek ekonomia …

Ambasadorja Kim: …tek ekonomia për të trajtuar çështjet më të gjera. Është diçka reale. Po të mos ishte për Covid, do shihnit edhe më shumë vizitorë, por edhe me pandeminë, shihni se çfarë ndodhi vetëm në Shqipëri – një Memorandum historik Bashkëpunimi Ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, një marrëveshje 600 milionë dollarëshe për Skavicën që është pranë finalizimit, një bankë e madhe e SHBA që investon këtu. Do të punoj shumë fort dhe pres me kënaqësi të punoj me udhëheqësit shqiptarë, njerëzit e biznesit dhe të rinjtë sepse ky vend është i mrekullueshëm. Ka potencial të jashtëzakonshëm dhe duhet të jemi optimistë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të ecim përpara.

Blendi Fevziu: Ambasadore, a është i madh komuniteti amerikan në Shqipëri?

Ambasadorja Kim: Komuniteti amerikan është me përmasa të mesme, mendoj, dhe janë shumë aktivë.

Blendi Fevziu: Të fokusuar tek? Janë shqiptarë me pasaporta amerikane apo amerikanë amerikanë?

Ambasadorja Kim: Janë të gjithë amerikanë amerikanë.

Blendi Fevziu: E di, e di. Por ka shqiptarë që marrin pasaportën amerikane në SHBA dhe janë edhe ata që lindin amerikanë.

Ambasadorja Kim: E di që kemi përzierje të ndryshme këtu, por po, kemi një numër të konsiderueshëm njerëzish që janë lindur në Shqipëri por tani janë qytetarë amerikanë./tvklan.al