Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, me të cilin ka diskutuar për zgjedhjet e 25 Prillit.

Ambasadorja Kim, në një postim në rrjetet sociale shkruan se me Bashën diskutoi për programin e PD-së dhe aleatëve të saj, si dhe për rëndësinë e mosfutjes në lista të personave me precedent penal.

Sot pata një takim të shkëlqyer me Lulzim Bashën. Dëgjova programin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Nënvizova se pritshmëritë e SHBA janë për të pasur kandidatë të pastër nga të gjitha partitë. Ne do të jemi gjithmonë të angazhuar për të pasur marrëdhënie të forta mes SHBA-së dhe Shqipërisë, me respekt për vendimin e votuesve më 25 Prill”, ka shkruar në Twitter ambasadorja amerikane.

Të njëjtën gjë e konfirmoi disa minuta më vonë edhe kryetari demokrat Lulzim Basha.

“Kënaqësi e madhe të takohem sot me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Ndava me të planin e Partisë Demokratike për Shqipërinë dhe nevojën për mbështetje amerikane dhe një bashkëpunim të fortë për të rritur zhvillimin ekonomik, për të tërhequr investime amerikane dhe për të forcuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha ai.

/tvklan.al