“Do ta përkrahim Tiranën në rrugën drejt BE”

Vendimi historik i Suedisë për të aplikuar si anëtare e NATO-s, do të ketë mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar. Gjatë një konference për mediat, ambasadorja suedeze në Tiranë, u shpreh se ky vendim ishte i domosdoshëm nisur nga klima e sigurisë në Europë.

“Dje jam takuar me kryeministrin Rama dhe kam qenë në kontakt me ministren Xhaçka. Të dy me garantuan se do ta mbështesin Suedinë në procesin e saj në NATO. Për këtë ju jemi mirënjohës. Ne do të jemi një vend i besueshëm, ku mund të mbështeten vendet e tjera të NATO-s”.

Ambasadorja u shpreh me tej se edhe Suedia do të vijojë ta përkrahë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian.

“Suedia prej më shumë se 20 vjetësh po e ndihmon Shqipërinë në procesin e anëtarësimit, në Bruksel, në organet e BE-së dhe gjithashtu me fonde.  Çdo vit Suedia alokon 15 milionë Euro për ta ndihmuar Shqipërinë në procesin e negociatave”.

Hastad shtoi më tej se Suedia është e përgatitur për gjithçka, nëse përballet me sulme nga Rusia, si një kundërpërgjigje për anëtarësimin në NATO.

Tv Klan