Ambasadorja Yuri Kim: SPAK ka bërë shumë përparim, ka pasur sukses në 90% të çështjeve



Ambasadorja Yuri Kim: SPAK ka bërë shumë përparim, ka pasur sukses në 90% të çështjeve

22:26 18/05/2021

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur për Reformën në Drejtësi. Kim është shprehur se Reforma në Drejtësi është duke ecur në rrugën e duhur dhe ka bërë përparim.

Për këtë diplomatja merr shembullin e SPAK, organ që për më shumë se një vit funksionon dhe ka nisur disa hetime të rëndësishme. Për ambasadoren hetime e SPAK për qindra persona dhe sekuestrimi i aseteve që shkojnë më miliona Euro, janë tregues së Reforma në Drejtësi po jep Rezultate.  

Ambasadorja Yuri Kim: Po. Pra, në vitin 2020 pati 746 persona që u hetuan. Dhe ato raste po shqyrtohen tani. Për tremujorin e këtij viti, 2021, informacioni më i fundit që kam është që 264 persona janë duke u hetuar. Nuk mund të ndjekësh çdo çështje, por ajo që është e rëndësishme është që nga ato çështje që SPAK ka çuar në gjyq, kanë pasur sukses në 90% të rasteve që kanë.

Blendi Fevziu: Ka shumë njerëz në Shqipëri, qytetarë, që ende presin rezultatet konkrete të reformës gjyqësore. Mendoj që jemi shumë vonë, tetë vjet pas votimit të themi të reformës, ende nuk kemi rezultate konkrete. Çfarë mendoi për këtë?

Ambasadorja Yuri Kim: Tetë vjet?

Blendi Fevziu: Pesë vjet.

Ambasadorja Yuri Kim: Dakord.

Blendi Fevziu: 2016.

Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj që në këtë pikë është një çështje perceptimi.

Blendi Fevziu: Pse është çështje perceptimi?

Ambasadorja Yuri Kim: Sepse mendoj që SPAK ka bërë shumë përparim. Ka qenë në funksion pak më shumë se një vit. Dhe mendoj që kreu i SPAK Arben Kraja ka dhënë disa intervista lidhur me veprimet e ndërmarra nga SPAK. Kanë nxjerrë raportin vjetor për vitin 2020, ku flisnin për 746 individë që ishin nën hetim dhe se çfarë ka ndodhur, asetet e konfiskuara. Siç e dini, unë mbaj shënime shumë të kujdesshme edhe për këtë sepse Shtetet e Bashkuara kanë investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në suksesin e SPAK. Tani…

Blendi Fevziu: Po çfarë do të thotë në mënyrë të jashtëzakonshme? Sa keni investuar?

Ambasadorja Yuri Kim: Nga pikëpamja e mbështetjes materiale por edhe këshilla dhe mbështetje tjetër.

Blendi Fevziu: Edhe persona që këshillojnë SPAK?

Ambasadorja Yuri Kim: Po. Pra, në vitin 2020 pati 746 persona që u hetuan. Dhe ato raste po shqyrtohen tani. Për tremujorin e këtij viti, 2021, informacioni më i fundit që kam është që 264 persona janë duke u hetuar. Por ajo që është e rëndësishme është që nga ato çështje që SPAK ka çuar në gjyq, kanë pasur sukses në 90% të rasteve që kanë…

Blendi Fevziu: Të rasteve që kanë çuar…

Ambasadorja Yuri Kim: Është mbresëlënëse. Tani, e përsëris, reforma në drejtësi nuk ka për të qenë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Dhe nëse prisni atë, po përgatitesh për dështim. Por ajo që do të them është që po ndodh përparim i vërtetë dhe përparimi, teksa ecim përpara, nuk do të jetë një vijë e drejtë. Nuk shkon nga prej këtu deri atje. Ajo që ndodh është që do ecësh përpara, do bësh pas, dhe ajo që do që të ndodhë është që prirja e gjerë të jetë ecja përpara dhe mendoj që është ajo që po shihni./tvklan.al







Të ngjashme