Balla: Formula jonë nuk cënon preferencat e zgjedhësve

Socialistët do të nisin t’i diskutojnë në Komisionin e Ligjeve propozimet e tyre për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Në pritje që PD dhe LSI të paraqesin propozimet e tyre, këtë e ka bërë tashmë deputetja Rudina Hajdari.

“Çështjet të karakterit teknik duhet të vazhdojnë të diskutohen. Janë çështje të gjitha të hapura dhe të gjitha palët të vijnë me propozimet e tyre”.

Balla mohon se formula e propozuar nga shumica për hapjen e listave zgjedhore në të vërtetë pamundëson që deputetët të zgjidhen drejtpërdrejt nga zgjedhësit.

“Fakti që renditja e partive thyhet nga mbështetja që merr një kandidat është një hap shumë i madh. Edhe brenda renditjes së partisë, numri i votave nga kandidatët rimodulon listën”.

Drafti i propozuar nga socialistët në Këshillin Politik parashikon hapjen e listave 100 përqind, por listat e kandidatëve do të hartohen sipas një rendi të vendosur nga kryetari i partisë.

Që të mund të ndryshojë kjo renditje duhet që kandidati të arrijë të marrë qoftë dhe një votë më shumë se sa shuma e votave që atij subjekti i duhet për një mandat deputeti në një qark të caktuar.

Gjithashtu, socialistët propozojnë prag kombëtar 3 përqind dhe koalicionet me një listë unike kandidatësh.

Tv Klan