Fauci: Nëse s’respektohen masat 100 mijë të infektuar në ditë

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Covid-19 vijon të mbetet problem shumë serioz. Kur nuk janë mbushur ende dy javë ku në një pjesë të madhe të qyteteve janë lehtësuar masat, rastet dhe vdekjet po rriten me ritme të frikshme.

Kalifornia, Teksasi dhe shumë shtete të tjera kanë raportuar rritje të rasteve të reja, duke bërë që autoritetet të rikthejnë masat e izolimit. Los Angelesi, qyteti i dytë më i madh amerikan, është bërë epiqendra e re e pandemisë.

Drejtori për Sëmundjet Infektive në SHBA, Anthony Fauci, ka deklaruar se nëse nuk zbatohen masat atëherë do të regjistrohen çdo ditë 100 mijë raste te prekurish.

Sipas Faucit, rreziku ende nuk ka kaluar dhe askush nuk duhet të shpresojë tek vaksina e cila me shumë gjasa mund edhe të mos dali në treg. Aktualisht dhjetëra vaksina janë duke u testuar nga shumë universitete e kompani në mbarë botën.

Ndërkaq frika më e madhe për një shtim të rasteve me koronavirus mund të ndodhë sidomos gjatë kësaj jave që përkon edhe me 4 Korrikun, ditën e pavarësisë së Amerikës, kur qytetarët tradicionalisht dynden nëpër plazhe apo piknikë si dhe mblidhen për të parë fishekzjarret.

I gjithë globi numëron mbi 10 milionë të infektuar, nga ku 514 mijë persona kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë. Vetëm në SHBA janë regjistruar 2.7 milionë raste me Covid-19 dhe kanë vdekur mbi 130 mijë.

Klan Plus