Trump e akuzoi se i shërben Kinës

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi nisjen zyrtare të procedurave për tërheqjen nga anëtarësia e Shteteve të Bashkuara në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Bëhet fjalë për një veprim të paralajmëruar që në muajin Maj, kur shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzoi këtë organizëm se po i shërbente Kinës në mënyrë të njëanshme në mesin e pandemisë së COVID-19.

Trump njoftoi këtë të mërkurë Kongresin për vendimin e tij, teksa procesi pritet të zgjasë një vit. Zyrtarët e OKB-së shprehën keqardhje për këtë vendim të numrit 1 të Shteteve të Bashkuara, vendit që vitin e kaluar dha kontributin më të madh me 400 milionë Dollarë ose 15% të buxhetit. Vende të tjera si Kina dhe Gjermania premtuan mbushjen e boshllëkut financiar.

Zyrtarët e administratës amerikane thanë se tërheqja erdhi pasi OBSH nuk pranoi propozimet e Uashingtonit për reformimin e institucionit më të lartë shëndetësor në botë. Pa i specifikuar kërkesat, Trump kërkoi dy muaj më parë reformim thelbësor të OBSH-së. Ai akuzon Kinën si përhapëse të COVID-19 nëpër botë dhe OBSH-në se ndihmon Pekinin për të fshehur fajin.

Tv Klan