Amerika kërkon të rifitojë imazhin e partnerit të besueshëm


Amerika kërkon të rifitojë imazhin e partnerit të besueshëm

08:28 02/09/2021

Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi takimin e tij të parë me një udhëheqës të huaj që nga përfundimi i luftës në Afganistan për të dërguar të mërkurën mesazhin se Shtetet e Bashkuara – të çliruara nga “lufta e tyre e pafundme” – janë të vendosura të bëhen një aleat më i besueshëm për miqtë e tyre, në këtë rast për Ukrainën.

Zoti Biden priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski në një takim shumë të dëshiruar prej kohësh nga Ukraina. Udhëheqësi amerikan u përpoq ta siguronte homologun ukrainas se administrata e tij qëndron plotësisht përkrah këtij vendi të Evropës Lindore.

Presidenti Biden nuk e përmendi Afganistanin në fjalën e tij të shkurtër përkrah zotit Zelenski para kamerave.

Por ai theksoi shqetësimet e tij në lidhje me agresionin rus në rajon. Në komentet e tij të mëparshme, kur u drejtohej amerikanëve me argumentet pro përfundimit të luftës në Afganistan, zoti Biden pat thënë vazhdimisht se tërheqja nga Afganistani do t’i jepte mundësi Amerikës të përqëndrohej më shumë në luftën kundër akteve keqdashëse nga dy rivalët strategjikë, Rusia dhe Kina.

“Shtetet e Bashkuara mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus, si dhe në mbështetje të aspiratave euroatlantike të Ukrainës,” tha zoti Biden.

Udhëheqësi ukrainas, i cili e gjeti veten për muaj me radhë të përzier në përpjekjet për shkarkimin nga posti të presidentit të mëparshëm, Donald Trump, erdhi në Shtëpinë e Bardhë me shpresën se Amerika do të ofrojë më shumë ndihma ushtarake dhe mbështetje për ambicjet e Ukrainës për anëtarësimin në NATO.

Takimi u shty dy ditë, ndërsa Presidenti Biden dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare ishin të përqëndruar tek tërheqja e ushtrisë amerikane nga Afganistani. Tërheqja, e cila përfundoi të hënën, la pas shumë afganë që kishin punuar me amerikanët dhe aleatët e tyre dhe që tani jetojnë me frikë, pas rikthimit të talebanëve në pushtet. Afganët e mbetur në vend, në pritje të evakuimit janë bërë objekt kritikash në adresë të SHBA, si një partner jo i besueshëm ndërkombëtar, një imazh që Presidenti Biden do ta luftojë me çdo kusht.

Fryma e krijuar nga tërheqja kaotike nga Afganistani nuk i shpëtoi udhëheqësit ukrainas, i cili po kërkon të forcojë marrëdhëniet e vendit të tij me SHBA.

“Në një kohë të vështirë për botën dhe Shtetet e Bashkuara … gjithsesi ju gjetët kohë të takoheni me ne dhe ne jemi vërtetë mirënjohës për këtë,” tha zoti Zelenski.

Para fillimit të takimit, administrata e zotit Biden tha se po angazhohej për ndihma të reja ushtarake për Ukrainën me vlerë deri në 60 milionë dollarë. Administrata tha në një komunikatë për Kongresin se paketa e ndihmës për Ukrainën ishte e nevojshme për shkak të një “rritjeje të madhe të aktivitetit ushtarak rus përgjatë kufirit mes tyre” dhe për shkak të sulmeve me mortaja, shkeljeve të armëpushimit dhe provokimeve të tjera.

Zoti Zelenski e falënderoi udhëheqësin amerikan për ndihmën.

“Lufta në Donbas është në vitin e saj të tetë; kemi humbur 15,000 njerëz,” tha zoti Zelenski duke iu referuar konfliktit me separatistët e mbështetur nga Rusia në zonën lindore të Ukrainës, njëkohësisht edhe zonë e rëndësishme industriale e vendit.

Në bisedat kokë më kokë, dy udhëheqësit Zelenski dhe Biden diskutuan vendimin e Uashingtonit për të mos bllokuar ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, i cili do të transportojë gaz natyror rus direkt në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën. Gazsjellësi kundërshtohet ashpër nga Ukraina dhe Polonia, si dhe nga republikanët dhe demokratët në Kongres. Zoti Zelenski e cilësoi tubacionin një armë të fuqishme gjeopolitike për Rusinë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se Ukraina ra dakord të bashkohej me një linjë të sigurt komunikimi përmes Qendrës së Reduktimit të Rrezikut Kombëtar e Bërthamor, e cila shërben për të minimizuar rrezikun e konfliktit të armatosur. Qendra përfshin 50 partnerë ndërkombëtarë.

Zoti Zelenski, aktor televiziv pa eksperiencë të mëparshme në politikë, mori detyrën në maj 2019 i fokusuar për të forcuar marrëdhëniet e vendit të tij me Shtetet e Bashkuara. Por, ai pothuajse menjëherë e gjeti veten nën presionin e të dërguarve të presidentit të atëhershëm Trump dhe së shpejti edhe të vetë zotit Trump, i cili në një bisedë telefonike i kërkoi zotit Zelenski të “na bësh një nder”. Përmbajtja e bisedës çoi në ngritjen e akuzave për herë të parë për shkarkimin e mundshëm të zotit Trump nga posti i presidentit.

Në atë telefonatë tashmë të mirënjohur të korrikut 2019, Presidenti Trump i kërkonte homologut Zelenski të hetonte zotin Biden dhe djalin e tij, Hunter, i cili kishte shërbyer në bordin e një kompanie energjetike ukrainase.

Ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, një aleat i ngushtë i Presidentit Trump, më pas u tha hetuesve se zoti Trump dhe avokati i tij Rudy Giuliani në mënyrë të hapur kishin kërkuar shkëmbim favoresh, duke ofruar mundësinë që zoti Zelenski të vinte për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, me kusht që të deklaronte më parë se ishin hapur hetimet mbi rivalin politik të zotit Trump, Joe Biden dhe të birin.

Përveç ftesës së lakmuar në Shtëpinë e Bardhë, zoti Sondland tha gjithashtu se e kishte të qartë që zoti Trump po mbante pezull gati 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, në pritje të deklaratës së Presidentit Zelenski.

Akuzat se Presidenti Trump ngriu lëvrimin e ndihmave ushtarake të miratuara nga Kongresit, duke i kushtëzuar me ndihmën e Ukrainës për fushatën e tij të rizgjedhjes, formuan bazën e padisë së ngritur ndaj ish-Presidentit Trump.Takimi me zotin Zelenski në Shtëpinë e Bardhë nuk u realizua kurrë.

Tani që Joe Biden është president, zoti Zelenski ka përballë një udhëheqës amerikan, i cili është angazhuar prej kohësh në marrëdhëniet me Ukrainën. Zoti Biden ka mbështetur që në fillim shtysën e Ukrainës për pavarësi nga Rusia, për të forcuar demokracinë e saj të re dhe për t’u përfshirë më plotësisht në klubin perëndimor.

Presidenti Zelenski i shtohet listës së udhëheqësve ukrainas që premtojnë të luftojnë problemin e korrupsionit sistematik, por që nuk bëjnë shumë përparim kur vijnë në post. Zyrtarë të administratës amerikane kërkuar garanci që Presidenti Zelenski do të mbetet i përqëndruar tek vazhdimi i reformave.

Në deklaratën e përbashkët në mbyllje të takimit, theksohet nevoja që Ukraina të veprojë pa vonesë për të emëruar një prokuror të ri anti-korrupsion dhe të miratojë ligje që sanksionojnë autoritetin e Byrosë Kombëtare Anti-Korrupsion si dhe të specifikohen hapat për zgjedhjen e krerëve të agjencisë.

Zoti Zelenski kishte shpresuar të merrte më shumë ndihma ekonomike e ushtarake nga Uashingtoni. Ai shtoi se donte një deklaratë të qartë nga Presidenti Biden nëse ai e mbështet antarësimin e Ukrainës në NATO. Anëtarët aktualë të NATO-s shprehen me rezerva ndaj ambicjeve të Ukrainës, si rrjedhojë e konfliktit të saj kufitar me Rusinë.

Paketa e ndihmave për sigurinë, me vlerë prej 60 milionë dollarësh do të përfshijë më shumë raketa anti-tank të tipit Javelin, të cilat Kievi i konsideron me rëndësi kritike për vetëmbrojtje nga separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët kanë kontrollin në një pjesë të Ukrainës lindore. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar në total më shumë se 400 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën këtë vit.

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë për shtypin, Jen Psaki nuk pranoi të thoshte të mërkurën nëse Presidenti Biden do të mbështesë aspiratat e Ukrainës për antarësim në NATO. Ajo vuri në dukje se nuk ishte një vendim që SHBA mund ta merrte e vetme dhe tha se Uashingtoni vazhdon të përkrahë përpjekjet e Ukrainës për të reformuar sektorin e saj të mbrojtjes dhe për të ndërmarrë hapa të tjerë të nevojshëm për t’u vënë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

Tubacioni Nord Stream 2, që po ndërtohet nën Detin Baltik, është ndër pikat kryesore të fërkimit. Duke lejuar Rusinë të anashkalojë Ukrainën, ky projekt mund të privojë potencialisht Ukrainën nga miliarda dollarë në tarifat e tranzitit që tani fiton për transferimin e gazit rus në Evropë.

SHBA e kundërshton tubacionin e ri, e shqetësuar se do t’i japë Rusisë shumë fuqi mbi furnizimet evropiane me energji, megjithatë Presienti Biden ra dakord në korrik të mos ndëshkojë kompaninë gjermane që mbikëqyr projektin.

Deklarata e përbashkët tha se SHBA do të punojë për të siguruar furnizimin e Ukrainës me gaz. Të dy vendet ranë dakord gjithashtu për të përmirësuar drejtimin në kompanitë shtetërore të energjisë në Ukrainë dhe për të tërhequr investimet e huaja, shumë të nevojshme që Ukraina të fitojë pavarësinë energjetike./VOA






Të ngjashme