Trump: Do të nxjerr ushtrinë të rikthejë rendin e qetësinë

Presidenti Donald Trump ka vendosur të ndërhyjë me dorë të fortë për të vënë rregull në vendin e përfshirë nga kaosi dhe dhuna. Përballë gazetarëve ai bëri një kërcënim të hapur, kur deklaroi se do të angazhojë ushtrinë për t’i dhënë fund dhunës në të gjithë vendin.

“Të gjithë amerikanët me të drejtë u trishtuan dhe u revoltuan nga vdekja brutale e George Floyd-it. Por ne nuk mund të lejojmë që thirrjet e drejta dhe protestuesit paqësorë të mbyten nga një turmë e zemëruar. Viktimat më të mëdha të trazirave janë qytetarët paqedashës në komunitetet tona më të varfra dhe si president i tyre, unë do të luftoj për t’i mbajtur ata të sigurt”.

Menjëherë pas fjalimit të Trump, lagjet më të famshme në Manhatan ende të mbyllura prej masave të bllokimit dhe izolimit për shkak të pandemisë, janë sulmuar, vandalizuar dhe plaçkitur.

Dy persona janë qëlluar për vdekje gjatë protestave që po mbahej në Cicero, Illinois duke e çuar në 5 numrin e protestuesve që kanë humbur jetën. Vandalizëm, biznese të shkatërruara, ndërtesa dhe makina policie të djegura, janë këto pamjet që po bëjnë xhiron e rrjetit pas vrasjes së afro-amerikanit.

800 anëtarë të Gardës Kombëtare do të dërgohen në Uashington për të ofruar ndihmë në ruajtjen e sigurisë. Kreu i SHBA-ve kërkoi nga kryebashkiakët dhe guvernatorët që të marrin masa të menjëhershme për të menaxhuar situatën.

Vdekja e afro-amerikanit George Floyd ka shkaktuar protesta të dhunshme në shumë qytete amerikane. Aktualisht Nju Jorku dhe Uashingtoni janë vendosur në shtetrrethim.

Autopsia private për vdekjen e George Floyd tregoi se ai kishte humbur jetën si pasojë e asfiksisë. Sipas familjes së afro-amerikanit, mjekët kanë thënë se ai ka vdekur nga shtrëngimi i gjurit nga polici i Mineapolisit.

Klan Plus