Diane Amanda Standish mendoi se gjeti dashurinë në një adresë takimesh online, por në vetëm pak muaj ajo humbi të gjitha kursimet e jetës.

“Kontrollova faturat e bankës, ishin 270 mijë Dollarë”.

E veja amerikane kuptoi shumë vonë se kishte rënë pre e një mashtrimi.

“Ai më tha se është i dashuruar me mua, nuk mendoja se do të dashurohesha me dikë në telefon, por për një arsye apo tjetrën, ai më thoshte fjalët e duhura”.

Zonja Standish e njohu mashtruesin si Xherri Majkëll apo Darnell Majkëll, me këtë profil Facebook-u. Dajana thotë se ai i kishte thënë se është administrator në një kompani ndërtimesh. Madje i kishte lënë edhe një mesazh zanor.

“Ç’kemi Diane. Si po kalon? Jam Jerry. A mund të më marrësh të lutem? Që të flasim. Faleminderit! Pafshim”.

Ai e telefononte nga numra të ndryshëm. Gjithmonë në kërkim të parave.

“Shumicën e rasteve ishin tarifa ligjore, fatura garancie”.

Kanali amerikan Neës 6 tentoi të lidhej me ato numra, në të gjitha rastet përgjigjej sekretaria, nga një adresë në Kaliforni.

Dajanë Stendish ka rënë në grackë. Ajo ra në dashuri me fytyrën e një tjetër njeriu.

Ajo ra në dashuri me fytyrën e Flamur Gashit, ish-ambasadorit shqiptar në Bosnje. Kanali amerikan ra në gjurmët e ambasadorit falë fotove të Facebookut, ku ai shfaqet edhe me emra të njohur për publikun.

Policia e Orlandos arriti të gjurmojë ato numra dhe rezultoi se telefononin nga Afrika e Jugut. Kanali amerikan arriti të gjejë personazhin të fotos, ambasadorin Gashi, por personi i vërtetë pas kësaj skeme mashtrimi, mbetet ende i panjohur.

“Ai mund të jetë kushdo, nga cilido vend, nuk ia kam idenë”.

Tv Klan