Në projektrregullore përcaktohet si kryhet shitja dhe sanksionet përkatëse

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren “Për regjistrin elektronik online të shitjeve të kontratave të sigurimit të detyrueshëm”, duke reflektuar ndryshimet e kërkuara bazuar në ligjin e ri “Për sigurimin e  detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Objekt i kësaj rregullorje është përcaktimi i procedurave të funksionimit, identifikimit dhe raportimit të të dhënave të shitjes së kontratave të sigurimit të detyrueshëm në Regjistrin Elektronik Online të Shitjeve.

Në zbatim të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është reflektuar në rregullore detyrimi i shoqërive të sigurimit apo agjentëve të tyre që të plotësojnë të gjitha rubrikat e policës së sigurimit, duke përfshirë të dhënat e sakta të pronarëve apo përdoruesve të mjeteve. Këto të dhëna do të përdoren për të njoftuar pronarët e mjeteve të transportit 15 ditë përpara mbarimit të policës ekzistuese të sigurimit.

Rregullorja saktëson se polica e sigurimit identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga Regjistri dhe printohet në hapësirën përkatëse. Ky numër unik duhet të fillojë çdo vit me dy shifrat e fundit të vitit aktual. Polica e sigurimit të detyrueshëm mund të verifikohet në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Gjithashtu rregullorja përcakton rastet e shkeljeve dhe sanksionet përkatëse. Në rastet e evidentimit të policave të sigurimit të detyrueshëm të paidentifikuara, me numrin unik në Regjistër apo rastet me numër identifikimi të dubluar, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore në fushën e sigurimeve.

Klan News