Të huajt kryesisht nga Italia, Gjermania, Polonia dhe Holanda

Vizitorët e zgjedhin qytetin bregdetar të Durrësit jo vetëm për plazh, por edhe për historinë dhe trashëgiminë kulturore të larmishme.

Kjo dëshmohet nga shifrat e publikuara nga Qendra Muzeale Durrës e cila bën të ditur se nga Janari deri në fund të Gushtit numri i vizitorëve në Amfiteatër dhe në zonën muzeale ishte mjaft i lartë. Më konkretisht në këtë periudhë kishte 19,185 vizitorë, rreth 9 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të 2022, ku u vizitua nga 10,849 persona.

Sipas Qendrës Muzeale Durrës vizitorët janë kryesisht nga Gjermania, Holanda, Polonia, Italia, si dhe mjaft shtete të tjera europiane.

Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë të veçantë romake dhe është ndërtuar në periudhën e perandorit Trajan. Asokohe ky vend historik thuhet se është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të kafshëve të egra për afro 2 shekuj. Më vonë në mjediset e tij u ndërtua një kishë bizantine, ku në muret e saj ndodhen disa afreske dhe mozaikë të ndryshëm. Këto veçori të mësipërme shtojnë kureshtjen vit pas viti të vizitorëve të shumtë që kërkojnë të njihen nga afër me vlerat historike e arkitekturore të kësaj zone.

Klan News