Napoli gati të “blindojë” mbrojtësin, kontratë deri në 2027

Kohë rinovimesh te Napoli. Ecuria e mirë në kampionat dhe Ligën e Kampionëve ka bërë që tek jugorët të reflektojnë. Forma fantastike e lojtarëve nën dispozicion të Spallettit ka shtyrë drejtuesit për t’i ofruar zgjatje të marrëveshjeve yjeve të skuadrës. Pas Lobotka dhe Juan Jesus, radhën për të rinovuar e ka lojtari shqiptar, Amir Rrahmani. Futbollisti i kombëtares së Kosovës pritet të firmos edhe për tre sezone të tjera.

Kontrata e mbrojtësit skadon në verën e vitit të ardhshëm, por nëse bindet nga projekti i italianëve, pritet të qëndrojë te Napoli të paktën deri në vitin 2027. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Rrahmani do të ketë si opsion për ta zgjatur edhe me një tjetër vit. Lojtari që në të shkuarën është aktivizuar edhe në Superligën shqiptare me Partizanin mban veshur ngjyrat e Napolit që prej vitit 2020. Aktualisht, vlera e tij në treg ka kapur shifrën e 25 milionë eurove. Me jugorët, Rrahmani ka luajtur këtë sezon 21 ndeshje, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asistim.

Klan News