Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat ku foli për amnistinë penale. Ai tha se shpreson që tërheqja e PS-së nga projektligji sot të mos jetë pjesë e pazarit për “të peshkuar” deputetë për të votuar. Ai theksoi se përfitimi i protestuesve të PD-së dhe protestave qytetare nga ky ligj është i panegociueshëm. Por si zgjidhet kjo?

“Hapi i parë që e zgjidh këtë, është heqja dorë nga propozimet që u futën tinëzisht për të përfituar zyrtarët e korruptuar. Së dyti të futën propozimet e PD për t’u përfshirë në amnisti protestuesit. Është kërkesë e PD, nuk është kërkesë për negocim, nuk është negocim, është e domosdoshme. Nuk ka asnjë tërheqje, ta marrin parasysh ata që kanë shumicën e votave, është qëndrimi ynë dhe i pandryshueshëm”, tha Basha.


Ai tha se të dënuarit që prisnin të merrnin një lajm të mirë sot, nuk iu mundësua për shkak të qeverisë.

“Ka qindra të dënuar që sot meritonin të merrnin lajmin e mirë. Ata që nuk mundësuan këtë lajm janë qeveria, kryeministri që nuk duan amnisti por duan ta përdorin këtë amnisti për përfitimin e zyrtarëve të korruptuar të dënuar GJKKO”, tha Basha.

Basha tha se është e papranueshme për PD që të dënuarit nga GJKKO të lirohen nga qeveria.

“Mesazhi i kësaj është sado të përpiqet drejtësia e reformuar, SPAK, BKH, GJKKO, ju dënoni ne lirojmë. Ky është mesazh i papranueshëm për shumicën e qytetarëve shqiptarë, ky është mesazh i papranueshëm për PD”, tha Basha.

Mazhoranca u tërhoq këtë të enjte nga projektligji për amnistinë penale. Socialistët thanë se u tërhoqën për të respektuar traditën sepse duhet konsensus për këtë projektligj. /tvklan.al