Ligji për amnistinë fiskale ka qenë një ndër çështjet që është trajtuar ditën e sotme pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për “Parandalimin e Falsifikimit të Dokumentave” mes Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë krerët e këtyre institucioneve.

Gjatë fjalës së tij, ministri Çuçi është shprehur se amnistia fiskale është një instrument ligjor që shkon për të formalizuar ekonominë teksa ka shtuar se është shumë i rëndësishëm për shqiptarët.

Bledi Çuçi: Ashtu siç e tha dhe guvernatori, ai është një instrument ligjor që më së shumti shkon për të formalizuar ekonominë, kështu që është  shumë i rëndësishëm për shqiptarët.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka deklaruar se rritja e transparencës ndihmon dhe në hetime pasi u paraqitet një tablo më e qartë.

Olsian Çela: Pastrimi i produkteve të veprës penale ka qenë prioritet i punës së Prokurorisë gjatë viteve të fundit. Ne kemi një sistem tashmë të strukturuar mirë që sektorët janë angazhuar në këtë aspekt, mund të them që rezultatet janë inkurajuese dhe kanë ardhur duke u përmirësuar dhe kjo është vlerësuar dhe në dokumentet ndërkombëtarë ku pasqyrohen rezultatet e Shqipërisë.

Kuadri ligjor, ju siguroj që angazhimi i Prokurorisë është maksimal dhe besoj dhe jam optimist që shifrat do të vijnë duke u përmirësuar dhe padiskutim që ne nuk jemi vetëm aktorë në këtë fushë. Janë disa institucione të përfshira. E rëndësishme është formalizimi i ekonomisë dhe kjo padiskutim ndihmon dhe hetimet tona pasi rritja e transparencës, kemi një tablo më të qartë për hetimet  që kryen qoftë Policia Gjyqësore, qoftë Policia e Shtetit apo Prokuroria. Angazhimi ynë do të jetë maksimal në çdo aspekt dhe në të ardhmen./tvklan.al