Vjero: Plotësohet një formular vetëdeklarimi dhe paguhet tatimi

Nisma e amnistisë fiskale dhe penale për legalizimin e pasurive të padeklaruara do të zhvillohet e gjitha përmes procedurave online, jo vetëm për të shmangur kontaktin fizik në sportele, por dhe për t’i dhënë mundësi emigrantëve jashtë Shqipërisë që të përfitojnë. Zv/ministrja e Financave, Vasilika Vjero, thotë se aplikimi do të bëhet tërësisht në bazë të një formulari që mund të plotësojë çdokush në bazë të vetëdeklarimit, pa kërkuar asnjë dokument shtesë, e pasi të ketë paguar tatimin përkatës në bankë, procesi do të konsiderohet i mbyllur.

“Është administrata tatimore, e cila do t’i japë këtij individi një dokument, një vërtetim, që subjekti ka kryer këtë deklarim dhe nuk do të jenë më objekt dhe i procedimeve penale apo administrative”.

Vjero thotë se tatimet do të ngrenë një njësi të posaçme për këtë nismë, e cila do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet e sigurisë publike që të mos përfitojnë organizatat kriminale dhe zyrtarët e lartë.

“Do duhet që në momentin që do të kryhet ky aplikim nga individët, nga subjektet, administrata tatimore do duhet të komunikojë me Prokurorinë, do duhet të komunikojë me Policinë e Shtetit dhe me struktura të tjera të rëndësishme ligjzbatuese, që të bëj të mundur që individë të cilët janë të përjashtuar të mos kenë asnjë hapësirë ligjore që të përfitojnë nga ligji për amnistinë”.

Ligji i amnistisë ka fuqi në territorin e Shqipërisë dhe jo në vendet e tjera, ndaj emigrantët në rastin se do të sjellin para në “cash” ose sende me vlerë, duhet që të bëjnë deklarim në kufi, por çdo pasuri do të jetë objekt i taksave doganore.

“Që ky ligj t’iu imponohet rregullave kufitare apo edhe rregullave fiskale që kanë vendet fqinj, nga ky mund të vijnë shumat në të holla”.

Në vitin 2011 një nismë e ngjashme nuk pati një shtrirje të gjerë te bizneset dhe individët pasi nuk sillte garanci për amnistimin e veprës penale të evazionit fiskal apo mënyrës së realizimit të të ardhurave. Përfitimet nga amnistia në buxhetin e shtetit në atë vit ishin 88 milionë lekë dhe nga rivlerësimi i pasurive 1 miliard lekë.

Tv Klan