Çuçi: Presim zbardhjen e Kushtetueses, do votojmë marrëveshjen me Italinë

3150 të dënuar në total pritet të amnistohen pas ditës së Enjte, ku parashikohet votimi i Amnistisë Penale. Në mbledhjen e grupit, PS vendosi të mos e shtyjë më votimin pasi sfidës së sigurimit të 84 votave duket se i ka ardhur fundi. Kjo falë Lulzim Bashës dhe grupit të deputetëve që e mbështesin, të cilët në këmbim të votave do të kalojnë një amendament që liron nga akuzat protestuesit e opozitës, të cilët mund të jenë arrestuar ose ka procedim penal.

Mes 3150 të dënuarve që pritet të pëfitojnë nga amnistia, 590 prej tyre do të lirohen nga qelia.

Perfituesit e Amnistisë Penale:

3150 të dënuar në total
2070 të dënuar me shërbim prove
1080 me vendim të formës së prerë
590 lirohen direkt nga burgu
500 ulje dënimi 1-1.5 vite

Në mbledhjen e kësaj të hëne, kreu i grupit parlamentar Bledi Çuçi tha se të Enjten pritet të kalojë për votim edhe marrëveshja me Italinë për emigrantët, pasi pritshmëritë janë që Gjykata Kushtetuese, brenda pak ditësh të zbardhë vendimin që i dha dritën jeshile zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Pas zbardhjes së plotë, pritet që vendimi të hyjë në fletoren zyrtare duke i hapur zyrtarisht rrugën miratimit në Kuvend.

Në seancës e së enjtes, pritet që të kalojë edhe Marrëveshja për Programin e Shkëmbimit të Studimeve Universitare në Evropën Qendrore, si edhe projektligji për Zonat e Mbrojtura.

Klan News